UK Bookmakers

E drejta për arsim gjithëpërfshirës e fëmijëve me aftësi të kufizuar në dritën e Konventës së OKB “Për të drejtat e PAK”

Situata dhe sfidat

Të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar parashikohen në nenin 7 dhe nenin 24 të Konventës.

Në të gjithe veprimet lidhur me fëmijët me aftësi të kufizuar, interesat më të mira të fëmijës do të jenë faktor primar. (Konventa, neni 7, pika 2).

Vendimi për dërgimin e një fëmije me aftësi të kufizuar në institutet e arsimit special nuk është një vendim në interesin më të mirë të tij. Institutet e arsimit special përfaqësojnë trashëgiminë më anakronike dhe, si të tillë, tashmë të tejkaluar të modelit mjekësor të konceptit për aftësinë e kufizuar, model që e sheh pjesën e mbetur të aftësisë së kufizuar pas trajtimit mjekësor për korrigjimin e saj, si një tragjedi që ka të bëjë thjesht dhe vetëm me PAK si bartës i saj. Në këtë mënyrë, institutet e arsimit special de facto realizojnë segregimin e fëmijës me aftësi të kufizuar, largimin e tij nga gjiri familjar dhe përjashtimin nga rrjedhat normale të jetës, duke iu kundërvënë kështu, frymës së përgjithshme të Konventës, sipas së cilës pjesëmarrja dhe përfshirja e jo përjashtimi dhe margjinalizimi duhet të përbëjnë bazën parimore mbi të cilën ngrihet legjislacioni dhe hartohen politikat shtetërore për PAK në përgjithësi dhe fëmijët me aftësi të kufizuar në veçanti.

 

Në nenin 24, pasi u njeh fëmijëve me aftësi të kufizuar të drejtën për arsim gjithëpërfshirës, (pika 1), Konventa shprehet se “… Shtetet Anëtare do të sigurojnë që Personat me aftësi të kufizuara të mos përjashtohen nga sistemi i përgjithshëm arsimor mbi bazën e aftësisë së kufizuar dhe që fëmijët me aftësi të kufizuar të mos përjashtohen nga arsimimi falas dhe i detyrueshëm fillor, apo nga arsimimi i mesëm, mbi bazën e aftësisë së kufizuar”. (Neni 24, pika 2, shkronja a). Më tej pohohet e drejta e fëmijëve me aftësi të kufizuar për hyrje në arsimin fillor gjithëpërfshirës, cilësor dhe falas dhe në arsimin e mesëm në mënyrë të barabartë me të tjerët në komunitetin në të cilin jetojnë” (po aty, shkronja b); Të sigurohet përshtatja e arsyeshme në përputhje me kërkesat e individit (po aty, shkronja c);  e drejta që të marrin mbështetjen e kërkuar, në kuadër të sistemit të përgjithshëm të arsimit, për ta mundësuar arsimimin efektiv të tyre (po aty, pika d) dhe Të sigurohen masa mbështetëse efektive të individualizuara në ambientet që shtojnë në maksimum zhvillimin akademik dhe social, në përputhje me synimin e gjithëpërfshirjes së plotë (po aty, pika e).

Të ndërgjegjshëm për karakterin progresiv të të drejtave të sipërcituara dhe vështirësitë e implementimit të kësaj dispozite, ajo që shqetëson është se sot, afro tri vjet pas aderimit të Republikës së Shqipërisë në Konventë, nuk na rezulton të jetë hedhur qoftë edhe një hap në drejtim të ndryshimit të gjendjes së para dhjetorit 2012, kohë në të cilën Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën. 

Parë si një medalje me dy anë, gjendja mund të karakterizohet si vijon:

Nga njëra anë gjendet pjesa më e madhe e fëmijëve me aftësi të kufizuara që nuk shohin dhe atyre që nuk dëgjojnë në moshë shkollore që akoma regjistrohen në dy institutet e arsimit special (Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” dhe Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë). Natyrisht që, duke qenë të vetmet shkolla rezidenciale në shkallë vendi, ato përfshijnë nxënës nga të gjithë qarqet, të cilët shkëputen nga familjet e tyre shpesh që në moshë parashkollore. Kjo përbën një dramë si për fëmijët, ashtu edhe prindërit e tyre, që, në kushtet aktuale, e shohin këtë si një zgjidhje të imponuar, në mungesë të një alternative më të mirë. Ndërkaq, përveç dyshimeve nëse këto institute kanë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe materiale për sigurimin e një edukimi të përshtatshëm, pas mbarimit të ciklit shkollor në to, fëmijët përballen me sfidën e integrimit në shoqëri, në komunitetet ku kanë vendbanimin. Kjo për dy arsye kryesore: Së pari, duke mos u rritur në gjirin e atyre komuniteteve, ata kthehen aty si të huaj, të panjohur. Së dyti, të rritur vetëm në prani të të ngjashmëve të vet, për ta nuk është i lehtë ndërveprimi me bashkëmoshatarët e tyre që – në rastin më të mirë - nuk kanë aftësi të kufizuar të njëjtë me të tyren, por edhe për vetë nxënësit e arsimit gjithëpërfshirës apo të komuniteteve ku fëmijët me aftësi të kufizuar kthehen, pranimi i këtyre fëmijëve në mesin e tyre rezulton një sfidë e madhe, sa për shkak të stigmës ende mjaft të shprehur në shoqërinë tonë, aq edhe për mungesë të përvojave të ngjashme në moshë më të hershme. Shtoji kësaj edhe faktin se kthimi në komunitetet e veta ndodh në kohën kur fëmijët me aftësi të kufizuar janë në moshën e adoleshencës, çka e rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre psikologjike dhe rrit vështirësitë dhe sfidat që lidhen me integrimin, duke krijuar vuajtje, mundim dhe frustracion.

Nga ana tjetër kemi një grup gjithnjë në rritje të fëmijëve me aftësi të kufizuar në shikim dhe dëgjim, prindërit e të cilëve parapëlqejnë regjistrimin e tyre në arsimin gjithëpërfshirës. Mirëpo, të ndodhur në kushte specifike, fëmijët me aftësi të kufizuar në shikim dhe dëgjim, nëse zgjedhin të ndjekin arsimin gjithëpërfshirës, kanë nevojë për mbështetje me burime njerëzore (mësues ndihmës, ndihmën e psikologut, sociologut a punonjësit social) dhe materiale (mjete didaktike të posaçme, teknologji ndihmëse, mjedise të përshtatura, sinjalistikë), pasi në rast të kundërt kompromentohet rëndë ecuria e tyre në mësime dhe minimizohen mundësitë për maksimizimin e potencialeve të tyre intelektuale dhe sociale.

Nga burime të sigurta brenda Ministrisë së Arsimit, kemi mësuar se në këtë dikaster nuk ekziston një strukturë e posaçme që të trajtojë çështjet e arsimit special dhe, për më tepër, nuk figuron asnjë PAK i punësuar që të merret me këtë fushë. Kjo, përveçse përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, sipas të cilave çdo punëdhënës duhet të punësojë një PAK për çdo 24 punonjës, shkon edhe kundër parimit të Konventës së OKB “Për të drejtat e PAK”, sipas së cilës PAK janë vetë ekspertë të çështjeve që lidhen me to.

Aspak më e mirë nuk paraqitet gjendja as për fëmijët para dhe tetraplegjikë, sa për shkak të barrierave institucionale (refuzimi për regjistrim me pretendime nga më absurdet, si frika potenciale ndaj tyre e fëmijëve me trup të shëndoshë), aq edhe nga mungesa – për ata që arrijnë të përfshihen – e rampeve, të mos flasim pastaj për ashensorë apo përshtatje të tjera të nevojshme të mjedisit mësimor në përputhje me nevojat e tyre.

Në të tilla rrethana, diskutimi lidhur me përfshirjen në sistemin arsimor të fëmijëve me aftësi të kufizuar intelektive duket thjesht një utopi, edhe pse vendet me standarde qytetërimi drejt të cilëve pretendojmë se tashmë jemi gati të shkojmë, edhe për këtë kategori përveç personelit ndihmës, aplikojnë programe të personalizuara, tekste të thjeshtëzuara etj.

Sa më sipër, del e nevojshme që të ushtrohet presioni i duhur pozitiv ndaj strukturave përkatëse shtetërore, nëpërmjet advokimit dhe lobimit, me qëllim që, si një fazë e parë, së paku të fillohet me programe pilot, të cilat të shtrihen më pas edhe në shkallë vendi, duke u dhënë mundësinë familjeve të këtyre fëmijëve që të zgjedhin mes arsimit të veçantë dhe atij gjithëpërfshirës, si një fazë e ndërmjetme përpara eliminimit të institucioneve të posaçme të arsimit dhe integrimit të plotë e të gjithanshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuar në shoqërinë normale.

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here