UK Bookmakers

Njohja e zotësisë juridike për të vepruar – kusht themelor për integrimin e personave me aftësi të kufizuar

Neni 12 i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar trajton problemin e njohjes në parim dhe respektimit në praktikë të zotësisë juridike për të vepruar për të gjithë PAK fizike dhe shqisorë, si dhe rishikimin periodik të vendimeve për heqjen apo kufizimin e zotësisë juridike për të vepruar për PAK intelektuale, me synim njohjen e kësaj zotësie në kushtet e përmirësimit të shëndetit të pjesëtarëve të caktuar të këtij nëngrupi. Është me vend ta citojmë këtë dispozitë me rëndësi thelbësore:

 

“Neni 12

Njohje e barabartë përpara ligjit

1. Shtetet Palë riafirmojnë se personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtën e njohjes kudo si persona përpara ligjit.

2. Shtetet Palë pranojnë që personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë zotësinë juridike për të vepruar njësoj si pjesa tjetër e popullsisë në të gjitha aspektet e jetës. 

3. Shtetet Palë do të marrin masat e duhura për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar akses në lidhje me mbështetjen që ata mund të kërkojnë në ushtrimin e zotësisë juridike për të vepruar. 

4. Shtetet Palë në përputhje me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut do të sigurohen që të gjitha masat që lidhen me ushtrimin e zotësisë juridike për të vepruar të përmbajnë standarde të përshtatshme dhe efikase për të parandaluar abuzimin. Këto standarde do të bëjnë të mundur që masat që lidhen me ushtrimin e zotësisë juridike për të vepruar të respektojnë të drejtat, vullnetin dhe preferencat e personit, të mos kenë konflikt interesi dhe ndikim të panevojshëm, të jenë në proporcion dhe të përshtatura sipas rrethanave të personit, të aplikohen për periudhën më të shkurtër të mundshme dhe t’u nënshtrohen shqyrtimeve të regullta nga ana e një autoriteti kompetent, të pavarur dhe të paanshëm apo një trupe gjyqësore. standardet do të jenë proporcionale më masën që këto masa cënojnë të drejtat dhe interesat e personit.

5. Në varësi të dispozitave të këtij neni, Shtetet Palë do të marrin të gjitha masat e duhura dhe efektive për të siguruar të drejtën e barabartë të personave me aftësi të kufizuar për të patur në pronësi apo për të trashëguar prona, për të kontrolluar çështjet e tyre financiare dhe për të pasur akses të barabartë në kreditë bankare, hipoteka dhe forma të tjera të kredive financiare dhe do të sigurohet që personave me aftësi të kufizuar nuk iu hiqet në mënyrë arbitrare prona”.

 

Ky problem duhet të jetë në krye të axhendës së çështjeve që lidhen me PAK, pasi fjala është për, nëse mund të shprehemi kështu, legalizimin e ekzistencës fizike të PAK, pastaj njohjen atij/asaj të setit të të drejtave që do ta vendosnin në pozitë të barabartë me anëtarët e tjerë të shoqërisë e, më në fund, njohjen atij/asaj të mundësisë që, vetë, me veprime a mosveprime të bazuara në vullnetin e tij/saj të lirë, të angazhohet për realizimin në praktikë të këtyre të drejtave.

Sa më sipër, përkundër përparimeve të shënuara gjatë këtyre afro dy dekadave e gjysmë, Shqipëria është ende larg standardeve të vendeve më të përparuara. Konkretisht:

a.Të verbërve, në praktikën juridiko-administrative, në përgjithësi u mohohet e drejta për të nënshkruar vetë aktet juridike në të cilat ata janë palë. Punonjës bankash a entesh të tjera publike e private, madje deri edhe noterë e gjyqtarë (të cilët, për shkak të njohurive të posaçme në fushën e jurisprudencës do të duhej të ishin në ballë të fushatës sensibilizuese për promovimin e kësaj të drejte), refuzojnë çdo pretendim të personit të verbër për të nënshkruar vetë me arsyetimin absurd se për të verbërin duhet të firmosë kujdestari i tij.

Një arsyetim i tillë nuk gjen kurrfarë baze ligjore pasi:

1.Në nenin 10 të Kodit Civil përcaktohen kushtet në të cilat hiqet apo kufizohet zotësia për të vepruar dhe konkretisht:

Personit madhor, që për shkak sëmundjeje psiqike ose zhvillimi të metë mendor, është tërësisht ose pjesërisht i pazoti të kujdeset për punët e tij, mund t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës".

Siç mund të konstatohet lehtë nga shqyrtimi i kësaj dispozite, verbëria si e tillë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk përbën shkak për heqjen apo kufizimin e zotësisë për të vepruar.

2.Në ligjin Nr.7829, datë 1.6.1994 "për noterinë" (i ndryshuar), ekziston një dispozitë në të cilën bëhet fjalë për rastet kur palë në një akt është një person i verbër apo shurdh-memec. Fjala është për nenin 44, në të cilin përcaktohet se:

 

“Aktet noteriale redaktohen në gjuhën shqipe. Kur i interesuari, njëra ose të dyja palët, nuk e di gjuhën shqipe, noteri kërkon ndihmën e një përkthyesi, që pranohet prej tij dhe prej palëve, i cili përkthen gjithçka fjalë për fjalë dhe të gjitha këto përmenden në akt, ku shënohet edhe deklarimi i personave se e kanë kuptuar përkthimin. Kur pala ose pjesëmarrësit në akt është i verbër, memec a shurdhmemec, noteri vepron me ndihmën e një eksperti ose personi që di të komunikojë me ta. Akti redaktohet pasi noteri sigurohet se gjithçka është sqaruar e mirëkuptuar dhe kur përmbajtja e aktit i përgjigjet pikë për pikë vullnetit të palëve".

 

Siç shihet qartë, as në këtë dispozitë nuk ka kurrfarë klauzole, madje as aluzioni me të cilin të mund të manipulohej për një interpretim të zgjeruar të saj, me synim pengimin e të verbërit apo të shurdh-memecit për të nënshkruar vetë.

3.Megjithatë, në legjislacionin shqiptar ekziston një dispozitë, e cila krijon konfuzion, pasi sipas mendimit tonë ajo është burim i një përplasjeje termash, apo thënë më mirë, përdorimit në kontekstin ligjor shqiptar të të njëjtit term në dy kuptime të ndryshme. Bëhet fjalë për termin kujdestar, i cili, ndërsa në legjislacionin civil nënkupton personin qe vepron si përfaqësues ligjor i personit, të cilit i është hequr zotësia për të vepruar në bazë të nenit 9 dhe 10 të Kodit Civil (shih, p.sh, nenin 94/a dhe b të Kodit Civil), në legjislacionin që rregullon çështjet e përkujdesit dhe të ndihmës shoqërore ky term është përdorur me një kuptim krejt tjetër dhe konkretisht atë të personit, të cilin shteti e paguan për t’i siguruar PAK barazi në akses në jetën e përditshme. Ja si shprehet lidhur me këtë pika 31 e nenit 4 të ligjit Nr. 9355, datë 10.3.2005" Për ndihmën dhe përkujdesin shoqëror (inndryshuar):

 

"31. "Kujdestar me pagesë" është personi i caktuar për t'u kujdesur për personin me aftësi të kufizuara, që ofron shërbim për të në veprimtarinë e përditshme, në shtëpi, në udhëtim, në punë, në shkollë dhe në veprimtaritë shoqërore ."

 

Ajo që shqetëson lidhur me ligjin e ri gjithëpërfshirës mbi PAK është se Neni 3, pika 2 dhe 3, neni 8, duket se do të rikonfirmojnë mbajtjen në fuqi të të ashtuquajturit "kujdestar", vetëm se tani me një emërtim të ri asistent personal. E gjitha kjo bie ndesh me frymën e Konventës për të drejtat e PAK, por edhe me vetë frymën e përgjithshme të ligjit, materializuar veçanërisht në nenin 1, pika b (rasti kur PAK zgjedhin të jetojnë vetëm), neni 3, pika 11, neni 4 pika e, neni 5 (për t'u thelluar), si dhe nenin 5 e 6 të ligjit.

Gjithsesi, nga një krahasim i dy institucioneve - atij të Kodit Civil dhe atij të legjislacionit që rregullon çështjet e ndihmës dhe përkujdesit shoqëror - mund të vërehen ndryshime thelbësore, që kanë të bëjnë si me natyrën, ashtu dhe përmbajtjen e këtyre instituteve. Ndërsa i pari synon që personi pa zotësi për të vepruar të mos privohet, për këtë arsye, nga mundësia e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave që burojnë nga të qenit person fizik e, si i tillë, me zotësi juridike, i dyti, përkundrazi, lidhet me krijimin e premisave për personin me aftësi të kufizuara (i cili s'mund të jetë identik me personin pa zotësi për të vepruar, pasi jo të gjithë personave me aftësi të kufizuar u hiqet/kufizohet zotësia për të vepruar) për barazi në akses me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Nga ana tjetër, ndërsa zotësia juridike hiqet dhe, për rrjedhojë edhe kujdestari përkatës caktohet me vendim gjykate, përkundrazi, kujdestari i PAK zgjidhet nga vetë PAK dhe burim i ekzistencës së tij është pëlqimi i PAK që personi i zgjedhur prej tij të jetë kujdestar i tij, ligjëruar kjo me VKM Nr. 618 date 7.09.2006 (i ndryshuar). Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar, pika 20/b, në të cilën thuhet :

 

20." Kur personi me aftësi të kufizuara, i cili, me vendim të komisionit mjekësor, përcaktohet se ka nevojë për përkujdesje, përveç dokumentacionit të përcaktuar në pikën 19, duhet të paraqesë edhe këto dokumente shtesë:

a)Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar;

b)Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara…".

 

Siç shihet nga ky formulim, vendimi gjyqësor për personat të cilëve u është hequr/kufizuar zotësia për të vepruar (rasti i aftësisë së kufizuar mendore) është alternativ me deklaratën noteriale me të cilën shprehet vullneti i PAK për zgjedhjen e kujdestarit të vet (rasti i llojeve të tjera të aftësisë së kufizuar).»

Nga sa më sipër, shihet qartë se çdo përpjekje për refuzimin e pranimit të nënshkrimit nga ana e një personi të verbër është në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi dhe, si i tillë, cungon të drejtat e këtyre personave, duke plotësuar kështu elementet e figurës së veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në të cilin sanksionohet se:

 

"Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë",

 

çka është një mjet shumë efikas në duart e personit të verbër për mbrojtjen e kësaj të drejte themelore, pa të cilën do të ishte absurde të flitej për të drejta të tjera. Gjithsesi, duhet theksuar se, në kushtet e Shqipërisë, një praktikë e tillë nuk duhet konsideruar e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit. Kërkohen përmirësime në ligj, të cilat do të bënin të mundur rritjen e pavarësisë së PAK, pakësimin e mundësive për abuzim me ta nga persona të paskrupullt dhe uljen e kostove të panevojshme administrative, duke iu referuar praktikës më të mirë perëndimore në këtë drejtim.

Konkretisht:

Së pari, të suprimohet instituti i kujdestarit me pagesë që kryen shërbime në favor të personit me aftësi të kufizuara dhe pagesa për të thjesht t’i shtohet pagesës që PAK përfiton për aftësinë e kufizuar, duke i krijuar kështu atij/asaj tagrin ekskluziv të disponimit mbi një pagesë të tillë. Në rastin më të keq, mund të pranohet edhe një zgjidhje që asistencën personale dhe modalitetet e përfitimit të saj i shikon si zgjidhje alternative, me rezervën që kjo dispozitë të mos shikohet si zgjidhje definitive dhe të shfuqizohet në kushtet e rritjes së autonomisë së personave subjekte të aplikimit të saj.

Së dyti, ka ardhur koha - madje jemi të vonuar në këtë drejtim - që më në fund Shqipëria të bëjë atë që vendet e tjera, përfshi edhe ata që në vizionin tonë konsiderohen si inferior në standarde, e praktikojnë prej vitesh, d.m.th, ndarjen e pagesës së aftësisë së kufizuar në dy elemente: elementin/komponentin social, i cili t’i shërbejë atij për zbutjen e kostove që derivojnë nga aftësia e kufizuar e që aktualisht përfitohet nga kujdestari dhe atë ekonomik, që përfitohet për të mbajtur atë dhe personat nën kujdestarinë e tij ligjore dhe që do të duhej të suprimohej në rast punësimi. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar, për vetë natyrën e saj, do të duhej të zinte peshën specifike më të madhe.

Së treti, duke marrë shkas nga niveli i ulët i kulturës juridike në këtë vend, nisur nga detyrimet e shtetit që rrjedhin nga funksioni i tij edukativ si një ndër funksionet themelore të tij në shoqëri si dhe duke marrë parasysh faktin se sistemi ynë i së drejtës kërkon që për çdo hipotezë të ketë një zgjidhje, do të ishte me vend shtimi në ligjet përkatëse i një dispozite që konfirmon të drejtën e patjetërsueshme të personit të verbër që, me veprimet e veta, në përputhje me vullnetin e vet të lirë dhe të plotë, të ndërhyjë në ushtrimin dhe realizimin në praktikë të çdo të drejte a interesi të vet, përfshi edhe të drejtën e firmës.

 

Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim nuk mund të bëhen subjekt i heqjes apo kufizimit de facto të zotësisë për të vepruar. Dispozita e cituar më lart e Ligjit "Për noterinë" ashtu siç është, duket e pazbatueshme kur vjen në pyetje paragrafi i dytë, sipas të cilit personi i verbër a shurdh-memec duhet të asistohet nga një person që di të komunikojë me ta, duke i barazuar këta persona me personat që nuk flasin gjuhën shqipe.

 

Së fundi, edhe personat me aftësi të kufizuar mendore, në kushtet e zgjimit muzgor duhet të barazohen me personat me zotësi të plotë për të vepruar, duke vënë kështu në vend një padrejtësi dhe një mungesë proporcionaliteti në trajtimin e tyre në të drejtën penale në raport me mënyrën e trajtimit në të drejtën civile. Fjala është për dënueshmërinë e tyre për vepra penale të kryera në kushtet e zgjimit muzgor, pavarësisht nëse u është kthyer apo jo zotësia për të vepruar (gjë që s'thuhet taksativisht, por rezulton nga interpretimi i zgjeruar i dispozitës përkatëse të Kodit Penal, përkatësisht neni 17), paragrafi i parë.

 

Si konkluzion, ndryshimet ligjore të lartpërmendura dhe pasqyrimi i tyre në aktet nënligjore përkatëse është një domosdoshmëri e kohës që shpie në përmirësimin dhe fuqizimin e pozitës së PAK në shoqëri, në krijimin e parakushteve të nevojshme për ta që të kërkojnë realizimin e të drejtave të tjera dhe në barazimin real të tyre me shtetasit e tjerë para ligjit, si në parim, ashtu edhe në praktikë, duke bërë kështu që Shqipëria të përmbushë plotësisht kërkesat e Konventës Ndërkombëtare për PAK në lidhje me këtë aspekt. Pa këtë do të ishte e kotë të flitet për të drejta të tjera, pasi ato bëhen apriori të pazbatueshme në kushtet e cungimit të zotësisë juridike për të vepruar.

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here