UK Bookmakers

SHQYRTIM I STRATEGJISË PËR PUNËSIM DHE AFTËSIM

Në dokument lokucioni “aftësi e kufizuar” rezulton të jetë përdorur nëntë herë.

Ajo që bie në sy është se në strategji personat me aftësi të kufizuar nuk trajtohen në mënyrë të posaçme, dmth, si grup më vete, por në shumicën e rasteve ata përmenden së bashku me grupe të tjera të popullsisë me risk të lartë përjashtimi social (vulnerabël). Një mënyrë e tillë e trajtimit të problemit sugjeron një mungesë serioziteti në qasjen ndaj tyre. Mjafton të përmendim faktin se ka ekzistuar një Strategji Kombëtare për PAK 2003-2011, e cila kishte formulime mjaft të avancuara të problematikës së kohës dhe ofronte zgjidhje të kënaqshme për shumicën e çështjeve. Dështimi në realizimin e objektivave të strategjisë së lartpërmendur është një ogur jo i mirë për fatet e dokumentit objekt shqyrtimi kur është fjala për çështje që lidhen me aftësinë e kufizuar. 

Sa më sipër sugjeron nevojën urgjente të hartimit të një strategjie të re për PAK, në pajtim të plotë me frymën, kërkesat dhe detyrimet që rrjedhin nga KDPAK. Strategjia duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë dhe të kujdesshëm nga ana e të gjitha grupeve të interesit. Ajo duhet të përmbajë objektiva të qartë, zgjidhje të besueshme dhe indikatorë të matshëm, në funksion të monitorimit të progresit real dhe të qëndrueshëm në statusin social dhe ligjor të PAK. E theksojmë qëndrueshmërinë si cilësi të domosdoshme, pasi e kaluara ka treguar se, kur është fjala për kosto financiare, shteti nuk është treguar i gatshëm t’u përmbahet angazhimeve të marra, madje nuk ka ngurruar as të bëjë hapa prapa. Shembull i keq në këtë drejtim është ligji Nr. 26/2012, me anë të të cilit shndërrimi i kompetencës legjislative në kompetencë ekzekutive lidhur me masën e përfitimit që lidhet me kompensimin e disa faturave (energji elektrike dhe telefoni) fshihte në vetvete synimin për justifikimin e uljes së masës së këtyre përfitimeve, siç edhe u vërtetua në vazhdim.

Më poshtë po sjellim ato fragmente të strategjisë në të cilat bëhet fjalë ndër të tjera edhe për PAK.

Personat me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rinjtë e rrezikuar, grupet e veçanta të femrave dhe pakicat rome dhe egjiptiane janë më në rrezik për përjashtim social sesa grupet e tjera të popullsisë.

Fëmijët e pakicave kombëtare, të cilët jetojnë në familje të varfra, ata me aftësi të kufizuara, fëmijët që punojnë dhe ata që abuzohen dhe/ose trafikohen, nuk kanë akses tek kujdesi i hershëm i fëmijërisë dhe arsimi. Kjo gjë bën që ata të përballen me një rrezik më të madh për përjashtim në një moshë më të rritur. Fëmijët e grupeve të popullsisë rome dhe fëmijët me aftësi të kufizuara kanë shkallën më të ulët të regjistrimit në shkollë, krahasuar me mesataren kombëtare. (fq 13).

Ende nuk ka një sistem gjurmimi për arsimin profesional, i cili do të ndihmonte për përcaktimin e rrugëve të karrierës për të diplomuarit femra dhe meshkuj, duke përfshirë si punësimin e tyre, ashtu edhe/ose studimet pas-dytësore apo tretësore. (fq. 18).

Sistemi i AFP rregullohet nga Ligji për AFP-në Nr. 8872, datë 29.03.2002, i përmirësuar më 2008 dhe 2011, dhe Ligji Nr. 7995, datë 20.09.1995 i modifikuar më 2002 dhe 2006 (f1. 19).

 Sistemi i AFP-së përballet me një numër mangësish. Aktualisht sistemi i AFP-së nuk është i orientuar drejt kërkesës së tregut të punës. Nuk është ndërmarrë asnjë analizë sistematike e tregut të punës për të vlerësuar se cilat janë kualifikimet e kërkuara dhe se si mund të bëhet përshtatja dhe planifikimi i kurseve në të ardhmen. Shumë pak biznese bashkëpunojnë me shkollat për organizimin e orëve të praktikës për nxënësit (fq. 20).

Qëndrimi i bizneseve larg shkollave të AP-së dhe anasjelltas, përbën një nga problemet kryesore në këtë sistem dhe të gjitha masat e marra deri tani për ta trajtuar këtë problem, kanë dështuar pothuajse plotësisht (po aty).   

Ndjekja e kursit nënkupton pagesën e një tarife - tarifë kjo e reduktuar për individët e drejtuar për kualifikim nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe për grupet në rrezik në tregun e punës (si për shembull, grupet e popullsisë rome, gratë e trafikuara, jetimët, emigrantët e kthyer, ish të burgosurit dhe personat me aftësi të kufizuara. (fq. 22). Fjala është për qendrat e formimit profesional ku zhvillohen kurse afatshkurtra (më pak se 1 vit).

 

Vlerësimet e deritanishme kanë provuar se QFP-të (qendrat e formimit profesional) publike janë të paefektshme dhe shumë larg përmbushjes së misionit të tyre. Si rrjedhojë, kualifikimi/trajnimi i ofruar është i dobët përsa i përket llojit dhe numrit të kurseve, ndërsa programet e kurseve janë të vjetruara dhe në disa raste nuk mbështeten tek skema e kurrikulave; mungojnë materialet mësimore, fondet për hartimin e programeve të reja, roli i AKAFPK në programet e Kualifikimit profesional, mungon edhe sistemi për njohjen e të nxënit të mëparshëm, kohëzgjatja e kurseve është shumë e shkurtër dhe cilësia e instruktorëve të kualifikimit është e dobët. Gjithashtu mungon reklamimi i shërbimeve. Nuk ka asnjë lloj marrëdhënieje midis QFP-ve dhe bizneseve, si dhe nuk ekziston një sistem që do të gjurmonte integrimin e të diplomuarve në tregun e punës. Nuk ka asnjë marrëdhënie bashkëpunimi midis shkollave profesionale dhe QF P-ve…. Kështu sipas Anketës për ambientin e biznesit dhe performancën e bizneseve (AABPB) të vitit 2008, më shumë se gjysma e firmave të anketuara njoftuan se mungesa e një krahu pune të aftë është një pengesë për kryerjen/zhvillimin e biznesit të tyre. Në Anketën e vitit 2009, për klimën e investimeve (AKI), 51 për qind për firmat e mëdha, 41 për qind për eksportuesit, dhe 48 për qind për firmat në pronësi të shtetasve të huaj njoftuan se aftësitë përbënin pengesën kryesore në bizneset e tyre. Mbi 35 për qind e firmave të cilat futën teknologji të re, treguan se arsimi i forcës së punës përbënte problemin më të madh edhe për to. Për më tepër edhe tre Anketat për ANA të kryera nga SHKP në vitet 2008, 2010 dhe 2012 në Shqipëri zbuluan se mungesa e aftësive është e pranishme në të gjithë sektorët e ekonomisë. «Kualifikimi i papërshtatshëm i forcës së punës» duket se përbën një nga problemet kryesore për shumicën e bizneseve, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e agro-përpunimit, në industrinë përpunuese e nxjerrëse, dhe në industrinë energjitike; kurse “Qëndrimi i punëkërkuesve/kultura e punës” konsiderohet si një problem madhor për pothuajse gjysmën e bizneseve që operojnë në sektorin e bujqësisë, tregtisë e riparimeve, hotelerisë e restoranteve, si edhe në sektorin arsimor (po aty).

Vetëm 6.3 për qind e të gjithë të papunëve të regjistruar gëzojnë të drejtën e marrjes së pagesës së papunësisë (48.6 për qind e të cilëve janë femra), ndërsa mbi 57 për qind janë përfitues të ndihmës sociale. (fq. 40).

Në vitin 2007 kursantët e kualifikimit profesional ishin të rinj (15-24 vjeç), me arsim të mesëm dhe mbi këtë nivel arsimor, nga të cilët më pak se 24 për qind ishin të papunë të regjistruar. Në vitin 2012, mbi 36 për qind e kursantëve ishin të rinj (25 vjeç e lart); 30 për qind e të cilëve kishin kryer vetëm 8 vjetët e arsimit bazë; mbi një e treta ishin të papunë të regjistruar, dhe pjesa e individëve të cenueshëm/në nevojë (grupe nga popullsia rome, persona me aftësi të kufizuara, femra viktima të dhunës dhe emigrantë të kthyer) ishin më shumë se dyfishuar (nga 2 për qind në 4.4 për qind të totalit të pjesëmarrësve). (fq. 42).

Përfshirja sociale mbetet ende një çështje për t’u trajtuar. Grupet si romët dhe personat me aftësi të kufizuara, shpesh janë lënë pas dore dhe politikat nuk janë konkretizuar gjithmonë në përputhje me rrethanat. Këto grupe kërkojnë politika të posaçme, të hartuara në përshtatje me karakteristikat dhe nevojat e tyre përsa u përket nevojave arsimore, kualifikimeve profesionale, fuqizimit dhe punësimit (fq. 49).

Përfituesit nga asistenca sociale do të përfshihen në punë komunitare. Papunësia në radhët e punëkërkueseve femra të regjistruara do të përgjysmohet dhe do të rritet mundësia e qasjes së personave me aftësi të kufizuara nëpërmjet kurseve të përshtatura të formimit profesional. Përveç kësaj, edhe pengesat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuar, të cilët përfitojnë nga AFP si: mundësia qasjes fizike në kurset e AFP-së, mungesa e instruktorëve të trajnuar, mungesa materialeve të përshtatshme, informacioni i kufizuar, ngurrimi i kompanive si edhe i institucioneve publike për t’i punësuar ata, mungesa e shërbimeve shoqëruese mbështetëse, si dhe e personave që përkujdesen për to, bashkë me çështjet e transportit, duhen zgjidhur me masa konkrete. Do t’i jepet përparësi trajnimit të të gjithë punëkërkuesve të regjistruar që i përkasin moshës nën 25 vjeç. Në të njëjtën mënyrë, të gjitha vajzave dhe grave, të cilat janë regjistruar si punëkërkuese, do t’u ofrohet trajnim brenda vitit të parë të mandatit, ndërsa brenda dy viteve të para do të synohet një trajnim i tillë për të gjithë punëkërkuesit e regjistruar.

Së fundi, nxitja e biznesit social, në një linjë me praktikat e mira të BE-së, do të përbëjë një mënyrë shtesë për arritjen e një rritjeje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse (fq. 58).

Politikat që synojnë përmirësimin e perspektivave për punësim duhet të kenë një fushë më të madhe veprimi, ndërsa programet duhet të synojnë ata persona, të cilët janë në gjendje më të pafavorshme në tregun e punës, veçanërisht individët me nivel të ulët në arsim dhe kualifikim, femrat, të rinjtë, grupet e tjera të cenueshme dhe ata persona, të cilët jetojnë në zonat rurale. Prandaj, do të bëhet dizenjimi i njw kuadri të ri për nxitjen e punësimit,i cili do të sigurojë përdorimin e politikave më efikase dhe me më shumë burime për tregun e punës (fq. 60).

Efikasiteti i masave të tregut të punës do të rritet nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të punësimit për të gjithë individët e regjistruar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit (nëpërmjet vetëshërbimit, këshillimit në grup dhe trajnimit për kërkimin e punës) dhe asistencës më intensive dhe me objektiv më të përcaktuar për ata persona, të cilët janë të “vështirë për t’u sistemuar në punë”. Ndërhyrje të tilla do të mbështeten tek paraqitja e një modeli të integruar për ofrimin e shërbimit (Modeli Kombëtar i Shërbimit), duke i profilizuar dhe me objektiva të caktuar, qasjet për të dalluar asistencën për punësim nga monitorimi i vazhdueshëm si dhe të bëhet vlerësimi i impaktit të masave të zbatuara për të llogaritur rezultatet e arritura. (po aty).

Të nxënit gjatë gjithë jetës dhe kualifikimi janë të dobishëm për nxitjen e konkurrencës së ndërmarrjeve dhe për rritjen e produktivitetit të punës, si edhe për përmirësimin e cilësisë së punës. Prandaj, qasja tek mundësitë e të nxënit cilësor gjatë gjithë jetës do të zgjerohet me qëllim lehtësimin e pjesëmarrjes së individëve të të gjitha moshave, duke përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta dhe grupet në nevojë e në dizavantazh.

Piketat që duhen arritur deri në vitin 2020 janë: rritja e numrit të meshkujve dhe femrave që ndjekin programe të AFP-së deri në 25 për qind; rritja e shkallës së punësimit të të diplomuarve nga arsimi profesional deri në 40 për qind, nga të cilët 25 për qind të jenë vajza; shtimi deri në 4 për qind i numrit të popullsisë së rritur që merr pjesë në të nxënit gjatë gjithë jetës dhe rritja e shkallës së punësimit të pjesëmarrësve në kurset e shkurtra të formimit profesional në 55 për qind, nga të cilët 75 për qind të jenë femra; rritja vjetore e raportit të personave me aftësi të kufizuara në AFP 1 pikë përqindje. Kjo do të arrihet duke shtuar investimet për arsimin dhe formimin profesional me 30 për qind në vitin 2020. (fq. 61).

 

B5.5 Organizimi dhe kryerja e trajnimeve të shumta për të gjithë mësuesit e AFP-së (në marrë-dhënie pune), duke përfshirë zhvillimin e detyrueshëm të kapaciteteve në lidhje me barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale/çështjet e diversitetit (fq. 62, tabela me indikatorët lidhur me aftësimin dhe formimin professional).

Çështjet e barazisë kërkojnë kryerjen e ndërhyrjeve të posaçme për trajtimin e nevojave të individëve të rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social nëpërmjet mundësive më të mira për të pasur arsim, punësim dhe shërbime sociale, si edhe zgjerimin e mundësive për punësim dhe të ardhura. Bashkërendimi i programeve të ndihmës sociale dhe masave aktive të tregut të punës do të mundësojë strategjitë e aktivizimit, të mbështetura në një sistem të përbashkët detyrimesh.

Me qëllim që të zgjerohet përfshirja sociale, kjo strategji do të përqendrohet në tri fusha politike. Së pari, reformimi dhe zgjerimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, shoqëruar nga një përmirësim i gamës dhe mbulimit me shërbimet e punësimit e programet aktive të tregut të punës, do të jetë çelësi për përmirësimin e lidhjes me tregun e punës dhe për perspektivën e punësimit të grupeve të popullsisë në rrezik përjashtimi. Së dyti, produktiviteti më i lartë në sektorin bujqësor, si objektivi kryesor i Strategjisë së zhvillimit bujqësor dhe rural, do të shtrihet në zinxhirin e prodhimit ushqimor, duke shtuar në këtë mënyrë punësimin jashtë fermave dhe mundësitë për fitim për individët që jetojnë në zonat rurale. Së fundi, reforma e rrjetit të sigurimit social do të përmirësojë barazinë, frytshmërinë dhe efektivitetin e sistemit të mbrojtjes sociale, do të pakësojë rrjedhjet dhe gabimet në përcaktimin e objektivave, duke çliruar në këtë mënyrë burimet për të zgjeruar mbulimin dhe nivelin e përfitimeve. Gjithashtu, lidhjet me punësimin do të fuqizohen nga paraqitja e shërbimeve dhe programeve për të kaluar përfituesit nga asistenca sociale në punë. (fq 62).

 

Zërat e buxhetit që lidhen me strategjinë parashikohet të rriten si vijon:

•Mbrojtja sociale : nga 141.2 milionë euro në vitin 2013 në 174.9 milionë në vitin 2018 ;

•Tregu i punës : nga 11.27 në vitin 2013 në 16.48 në 2020;

•Arsimi/kualifikimi profesional: nga 17.29 në vitin 2013 në 29.3 në vitin 2020;

•Shanset e barabarta nga 0.15 në vitin 2013 në 0.21 në vitin 2020;

•Inspektimi i punës nga 1.11 në vitin 2013 në 1.48 në vitin 2020;

•Sigurimet shoqërore nga 262.2 në vitin 2013 në 434.1 në vitin 2020;

•Planifikimi dhe menaxhimi nga 1.02 në vitin 2013 në 1.33 në vitin 2020;

•Buxheti i shtetit  në total nga 416.73 në vitin 2013 në 639.52 në vitin 2020.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e kësaj strategjie dhe e Planit të Veprimit është rreth 150 M€. MMSR, në bashkëpunim me agjencitë zbatuese, do të përgatisin një ushtrim për të përllogaritur koston e saktë sipas objektivave politikë/përparësive strategjike (fq. 66).

Burimet e caktuara për MMSR nga buxheti i shtetit për politikat e AFP-së (aftësimit dhe formimit profesional) dhe punësimin mund të mbulojnë rreth 5-10% të vlerës së përllogaritur për këtë strategji (po aty).

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here