UK Bookmakers

SHQYRTIM I LIGJIT NR. 44/2016 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9355, DATË 10.3.2005, “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR”.

I miratuar më 21 prill 2016 dhe i parashikuar të mos hyjë në fuqi para hshtatorit 2016, ky ligj së pari synon të pasqyrojë ndryshimet në strukturën e pushtetit vendor që rrjedhin nga reforma territorial që u parapriu zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar. Kështu, në nenin 4 parashikohet riformulim i përkufizimeve për tre koncepte dhe heqje e një koncepti: 

 

•Koncepti i bashkisë/njësisë administrative zëvendëson atë të njësisë së pushtetit vendor, duke hequr fjalën “komunë” (shih neni 1, pika 1 në lidhje me nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 9355…). 

•Ridimensionohet roli i administratorit shoqëror, i cili jo vetëm administron, por edhe vlerëson dhe verifikon procesin dhe dokumentacionin për aplikimin e përfitimin e ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ofrimin e shërbimeve shoqërore dhe, ç’është më e rëndësishmja, për këtë ai shfrytëzon regjistrin elektronik kombëtar për bashkitë ku do të kryhet pilotimi. (po aty). 

•Ridimensionohet koncepti i familjes në nevojë. Për herë të parë synohet të specifikohen burimet e të ardhurave të familjeve, duke përfshirë në to remitancat, të ardhurat nga qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera, në vend të “nga veprimtaria ekonomike, programe të tjera të mbrojtjes shoqërore dhe kapitali”, sikurse parashikohej në ligjin 9355 (po aty). Pra për herë të parë, remitancat përbëjnë të ardhura të llogaritshme për efekt të përfitimit të ndihmës shoqërore. 

•Hiqet koncepti i familjes bujqësore, çka do të thotë se në rast banimi në qytet, ndihma shoqërore përfitohet edhe nga persona që kanë tokë në pronësi (neni 1, pika 2 në lidhje me nenin 4, pika 12 të ligjit të ndryshuar Nr. 9355). Ndërkaq, në të ardhurat e familjes për efekt të llogaritjes së ndihmës shoqërore nuk përfshihen as të ardhurat e familjes në nevojë, të parashikuar nga neni 19 i ligjit Nr. 9355, çka është një risi e ligjit dhe zgjerim i gamës së përfituesve nga ndihma shoqërore (shih po aty, pika 3). Ndërkaq shtohen përkufizimet për tri koncepte të reja: Formula e unifikuar e pikëzimit, Vlerësimi biopsikosocial; Komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe Ri/integrimi social. (po aty, pika 6).

 

Ligji i ri zgjeron rrethin e përfituesve të shërbimeve shoqërore, duke shtuar edhe azilkërkuesit e mitur, të pashoqëruar, për efekt të përfitimit të shërbimit të kujdestarisë (neni 2).

Në pikën 1 të nenit 10 shtohet koncepti i përjashtimit nga skema e ndihmës ekonomike për familjet që nuk zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke i lënë këshillit të Ministrave detyrë që me vendim në zbatim të këtij ligji të përcaktojë masat përkatëse. Po ashtu, shtohet një pikë 1/1, me këtë përmbajtje: “Rishikimi i parametrave të programeve të ndihmës ekonomike, duke përfshirë rishikimin e kritereve të vlerësimit për ndihmën dhe aftësinë e kufizuar dhe përditësimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila ndihmon në përcaktimin e kritereve të pranueshmërisë së familjeve për përfitimin e ndihmës ekonomike, bazuar në ndryshimin e nivelit të varfërisë në vend, realizohet nga autoriteti shtetëror përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, ky autoritet është sot Shërbimi Social Shtetëror. 

Ndërkaq, shfuqizohet pika 3 a, thënë ndryshe, hiqet koncepti i “kushtëzimit të ndihmës ekonomike” si rezultat i kalimit të kësaj kompetence Këshillit të Ministrave.

Me rëndësi të madhe është ndryshimi i pikës 2 të nenit 11, sipas të cilit, së pari, zgjatet nga 24 në 48 muaj periudha në të cilën personat me aftësi të kufizuar të punësuar, përveç pagës, vazhdojnë të përfitojnë edhe pagesën e aftësisë së kufizuar dhe së dyti, kjo dispozitë i shtrin efektet e veta edhe te grupi i dytë i PAK, të cilët me legjislacionin actual, në rast punësimi, humbasin menjëherë pagesën e aftësisë së kufizuar (neni 4).

Hiqet koncepti i ndihmës ekonomike të pjesshme, parashikuar në nenin 19 të ligjit 9355.

Me rëndësi është se vendimin për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë nuk e merr më këshilli bashkiak, por struktura rajonale përkatëse e SHSSH (sot Drejtoria Rajonale), duke i lënë bashkisë/njësisë bashkiake territorialisht kompetente vetëm detyrimin për njoftimin e përfituesit Brenda 24 orëve nga marrja dijeni për vendimin dhe për kryerjen e veprimeve financiare në zbatim të tij. Ndërkaq nuk ndryshon procedura e vendimmarrjes për pagesën e aftësisë së kufizuar (neni 6 që ndryshon nenin 20 të ligjit 9355 lidhur me sa më sipër).

Neni 21 ndryshohet, duke dyfishuar (rritur nga 3 në 6 pikë përqindjeje) masën nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën për familjet aplikuese që nuk shpallen përfituese nga sistemi i pikëzimit. Rritja potenciale e numrit të familjeve përfituese parashikohet edhe pasi në dispozitën e re shtohen fjalët “dhe/ose me fonde të buxhetit vendor, sipas përcaktimeve që do të bëhen nga ministri përgjegjës për çështjet sociale”. (neni 7).

 

Në nenin 27, që rregullon natyrën, pozitën juridike, organizimin dhe funksionimin e SHSSH, bëhen disa ndryshime si:

 

•Suprimohet këshilli administrative; 

•SHSSH Bëhet autoriteti përgjegjës për kontrollin e veprimtarisë dhe zbatimit të ligjshmërisë në strukturat dhe institucionet në varësi të tij dhe pranë pushtetit vendor, për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, ndërkohë që i delegohet Këshillit të Ministrave kompetenca që me vendim të tij të përcaktojë procedurën e kryerjes së kontrollit(neni 10).

Në nenin 11 shtohet në ligjin 9355 neni 27/1, ku përcaktohen detyrat e strukturës rajonale përgjegjëse të SHSSH për ndihmën ekonomike (sot Drejtoria Rajonale e SHSSH). Kjo drejtori: 

•verifikon të dhënat e hedhura nga administratori shoqëror për familjen/individin në nevojë në regjistrin elektronik; 

•vendos për miratimin/refuzimin e ndihmës ekonomike;

•ia dërgon vendimin kryetarit të bashkisë, me qëllim njoftimin e përfituesit dhe kryerjen e veprimeve financiare përkatëse.

Në nenin 29 bëhen ndryshime që reflektojnë procedurën e re për përfitimin e ndihmës ekonomike, sipas të cilës tashmë këshillit bashkiak i mbetet vetëm kompetenca e propozimit, por jo e miratimit të numrit të familjeve përfituese dhe të masës së përfitimit, pasi një gjë e tillë bëhet nga struktura rajonale e SHSSH. Po për të njëjtën arsye, Pikat 7, 9, 10 dhe 11 të nenit 29 shfuqizohen. (neni 12).

Në nenin 30 të ligjit 9355 shtohet neni 30/1, i cili parashikon detyrat e strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki për efekt të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar. Me interes detyra për përgatitjen e statistikave dhe mbajtjen e regjistrit të përfituesve, por edhe ajo për hartimin e kërkesës për buxhetin dhe projekt-buxhetin për vitin pasardhës, si dhe ndjekjen e shpenzimeve për ndihmën ekonomike dhe pagesën e aftësisë së kufizuar. (neni 13).

Në nenin 14 parashikohen disa shtesa dhe ndryshime në nenin 31 të ligjit 9355 mbi detyrat e administratorëve shoqërorë, në përputhje me frymën e përgjithshme të ligjit.

Në nenin 17 parashikohet e drejta e ankimit kundër vendimeve të organeve kompetente.

•Ankimi bëhet pranë bashkisë/njësisë administrative Brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit për vendimin. Struktura vendore shqyrton ankesën dhe njofton ankuesin Brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

•Kur përgjigjja nuk e kënaq kërkuesin, ky i fundit i drejtohet me ankesë strukturës rajonale të SSHS Brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e përgjigjes nga struktura vendore. Struktura rajonale e SSHS shqyrton ankesën dhe njofton ankuesin dhe strukturën e pushtetit vendor Brenda 10 ditëve pune nga marrja e ankimit.

•Kundër këtij vendimi dhe vendimit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar ngrihet padi në gjykatë në përputhje me ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.” (shih nenin 17, pika 4, që ndryshon nenin 41/1 të ligjit 9355). 

 

Nga përmbajtja e nenit 18 vërehet se pilotimi tashmë ka të bëjë vetëm me përdorimin e regjistrit elektronik, por jo edhe me kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike sipas formulës së pikëzuar, gjë që me sa duket do të aplikohet në gjithë njësitë e qeverisjes vendore.

Neni 42/1 dhe 42/2 shfuqizohen (neni 19).

Me nenin 20 shtohen dispozita që sjellin ndryshime me rëndësi në procedurën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar (neni 42/3), përdorimit të regjistrit elektronik të aplikuesve dhe përfituesve të shërbimeve shoqërore (neni 42/4) dhe programet e ri/integrimit social (neni 42/5).

 

Kështu, me ndryshimet e bëra, në ligjin 9355 shtohet neni 42/3, që parashikon ndryshimin e procedurës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar në bashkitë ku do të bëhet pilotimi i modelit biopsikosocial të vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe i regjistrit elektronik kombëtar të personave me aftësi të kufizuar. Aty kompetenca për vlerësimin e aftësisë së kufizuar i kalon zyrës së vlerësimit të AK pranë drejtorisë rajonale të SHSSH. Kjo e fundit hedh të dhënat e aplikuesit në regjistrin elektronik kombëtar; administron dokumentacionin; kryen verifikimin dhe vlerësimin e individëve dhe merr vendimin për aftësinë e kufizuar.

Drejtoria rajonale e SSHS, nga ana e saj, pajis me dokumentin përkatës personin me aftësi të kufizuar dhe i dërgon kryetarit të bashkisë vendimin përfundimtar për të gjithë përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të kryer veprimet financiare (neni 42/3).

 

Ndërkaq ngarkohet Qeveria me detyrën e nxjerrjes së vendimit për përcaktimin e bashkive ku do të kryhet pilotimi (neni 42/4, pika 1), si dhe Kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për përfitimin e shërbimeve shoqërore (po aty, pika 2).

 

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here