UK Bookmakers

MENDIME MBI PLANIN KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR PAK.

Nisma e qeverisë për një plan kombëtar veprimi për aftësinë e kufizuar me synime strategjike afatgjata dhe objektiva, indikatorë dhe aktivitete konkrete për një periudhë afatmesme, përfshi edhe parashikimin e kostove, është për t’u përshëndetur, po të kihet parasysh fakti se është hera e parë që në Shqipëri ndërmerret një nismë e kësaj natyre dhe se, nëse do të implementohet si duhet, do të sjellë ndryshime të rëndësishme pozitive në jetën e individëve me aftësi të kufizuara.

Në mënyrë të posaçme, shprehim kënaqësinë tonë për faktin se plani parashikon përfshirjen brenda vitit 2020 të fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës, shoqëruar me shndërrimin e institutive të arsimit special në qendra kërkimore në funksion të këtij qëllimi. Sa më sipër është në përputhje të plotë me nenin 7 në lidhje me nenin 23 të KDPAK. Parashikimi në planin e aktiviteteve i fushatave sensibilizuese për komunitetin e prindërve të  fëmijëve me aftësi të kufizuar për rëndësinë e regjistrimit të këtyre fëmijëve në arsimin gjithëpërfshirës është për t’u lavdëruar, pasi gjendet në antitezë me praktikën e deritanishme, nëpërmjet së cilës është synuar rekrutimi i një numri sa më të madh nxënësish me aftësi të kufizuar përmes fushatave të anëtarëve të ndryshëm të personelit të institutive të arsimit special, në shërbim të sigurimit të orëve të plota të mësimit për vete dhe kolegët dhe aspak në favor të interesit më të mirë të fëmijës, sikurse kërkon neni 7 i Konventës.

Gjithsesi, për një plan veprimi sa më të plotë dhe që të prekë gjithë spektrin e PAK në kuptimin e shmangies së barrierave dhe, në analizë të fundit, përmirësimit të cilësisë së tyre të jetesës, më poshtë po paraqesim disa komente me vërejtje dhe sugjerime konkrete për objektiva dhe aktivitete specifike

Në titullin 1.1 flitet për mungesën e aksesit të PAK në dëgjim për shkak të mospërdorimit të gjuhës së shenjave, për pamundësinë e aksesimit të ndërtesave dhe faqeve qeveritare të internetit nga ana e PAK. Përderisa nuk duket që mangësitë e përmendura të jenë paraqitur në formë shembujsh, na lind e drejta të dyshojmë seriozisht se mangësi të tjera janë lënë në harresë. Fjala është për mungesën e ekranlexuesve zanorë për të verbërit në gjuhën shqipe (të tilla si JAWS a, ndryshe Job Access with Speech); mungesën e formateve të thjeshtëzuara për lexim për PAK me problem në të mësuar (përmendim këtu veçanërisht software-in bliss); mungesën totale të pajisjeve të përshtatshme për komunikim për PAK me problem të rënda motore, deri në humbjen e aftësisë për të folur dhe mungesën e një strategjie shtetërore për krijimin e lehtësirave financiare dhe të tjera për t’u mundësuar PAK posedimin dhe gëzimin e tyre e kështu me radhë). Sa më sipër bazohen në dispozita të përgjithshme dhe të posaçme të KDPAK.

Gjithashtu, televizioni mbetet i paaksesueshëm për të verbërit: emrat e gazetarëve nuk transmetohen në audio, por vetëm me titra; nuk ekziston shërbimi i përshkrimit të atyre skenave të filmave ku mungon dialogu; kronikat sportive ende janë të varfra dhe me pak fjalë, çka e bën gati të pamundur ndjekjen e evenimenteve të tilla nga të verbërit. Kjo kërkon ndryshime në legjislacion, gjë që duhet të zërë vend në aktivitetet e parashikuara në planin kombëtar të veprimit.

 Po aty krijohet përshtypja se ministria as që e merr në konsideratë gjendjen katastrofike të aksesueshmërisë së mjeteve të komunikimit dhe informimit nga ana e PAK intelektivë.

Në titullin 1.3, (shih f.13), tërheqim vëmendjen lidhur me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me statusin e të verbërit, në të cilat del termi “kujdestar”. Kjo ka sjellë raste të shumta të diskriminimit të PAK në shikim, si, p.sh, lidhur me të drejtën për nënshkrimin e akteve në të cilat ata janë palë, të drejtën për vetëpërfaqësim para organeve gjyqësore etj.

 Për më tepër shih: 

http://pabarriera.al/index.php?option=com_content&vieë=article&id=58:njohja-e-zotesise-juridike-per-te-vepruar-kusht-themelor-per-integrimin-e-personave-me-aftesi-te-kufizuar&catid=19&Itemid=192&lang=sq.

Në titullin 1.4, në f. 16, ndër të tjera thuhet: 

“Nëngrupe të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara kanë përfitime të veçanta të përcaktuara me ligj, duke çuar në diskriminimin e kategorive të tjera. Të verbrit janë identifikuar si një grup i synuar i veçantë për nxitjen e punësimit dhe në rast se janë të papunë, ata përfitojnë pagesë për shkak të verbërisë”.

 Ndryshe nga sa thuhet në material, njohja e këtyre të drejtave PAK në shikim nuk çon në diskriminimin e grupeve të tjera, por synon mbrojtjen e anëtarëve të këtij grupi nga veprime arbitrare të punëdhënësve, që mund të çojnë në pushimin e tyre të padrejtë nga puna. Mosparashikimi i të njëjtave të drejta për grupe të tjera të aftësisë së kufizuar dhe jo dispozita e sipërpërmendur lidhur me të verbërit përbën diskriminim dhe është mangësi e legjislacionit jo të plotë në këtë aspekt. Diskriminimi nuk eliminohet duke menduar t’u abrogohet një e drejtë e fituar anëtarëve të një grupi të aftësisë së kufizuar, sikurse duket se sugjeron parashtrimi i sipërpërmendur, por duke ua njohur atë edhe grupeve të tjera.

Po aty (f.17), gjejmë edhe pohimin se:

 “Pagat e personave me aftësi të kufizuara përjashtohen nga tatimi deri në një nivel të caktuar, por ky nivel mbetet ende për t'u përcaktuar në një VKM dhe ndërkohë përfitimet nuk mund të përdoren”.

Ky përcaktim nuk qëndron. Ligji nr. 8098, p.sh, “për statusin e të verbërit”, neni 4 parashikon:

“Të verbërit përjashtohen nga çdo lloj takse dhe tatimi të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur ata kryejnë veprimtari private si persona juridikë”. 

Tatimi mbi pagën është tatim i drejtpërdrejtë dhe asnjë vendim i këshillit të ministrave nuk mund të ndërhyjë në masën e përfitimit prej kësaj dispozite. Po ashtu, nëse është e vërtetë se kjo dispozitë nuk mund të përdoret a, thënë ndryshe, ka të verbër të cilët privohen nga kjo e drejtë, ju sjellim në vëmendje se kushdo që vepron në atë mënyrë, gjendet në kushtet e plotësimit të elementëve të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

Lidhur me titullin 1.5, tekstet me shkrim të zmadhuar, ndryshe nga sa thuhet në faqen 11, nevojiten edhe për fëmijët me shikim të pjesshëm që vendosin të ndjekin studimet në sistemin arsimor fillor dhe 9-vjeçar të zakonshëm, por edhe në nivelet e tjera të arsimit. Mungesa e teksteve të tilla ende nuk duket të përbëjë shqetësim për qeverinë. 

Aq më pak merret analiza me aksesin në arsim nëpërmjet teksteve me lexim të thjeshtuar a programe të personalizuara për fëmijët me aftësi të kufizuar intelektive.

Në titullin 1.7, pikërisht në krye të f. 25, pohimi se vetëm invalidëve të punës u njihet e drejta për sigurime shëndetësore falas është i pasaktë. Në nenin 9 të Statusit të të verbërit, p.sh, thuhet:

 “Shteti bën sigurimin shëndetësor të të verbërve falas , si dhe përfitimin e ilaçeve dhe pajisjeve ndihmëse mjekësore falas, deri në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave”. 

Në kap. 3, titulli “Aksesueshmëria, objektivi 2 (f. 28)

-Përmirësimi i aksesit në informacion për personat me aftësi të kufizuara, nuk shohim të flitet për sanksionimin me ligj të detyrimit të medjave elektronike publike dhe private për marrjen e masave specifike përkatëse që të mundësojnë akses në to për të gjitha kategoritë e PAK, për çka, duke u nisur nga dija tejet e kufizuar në këtë drejtim e punonjësve të dikasterit dhe agjencive në varësi të tij, do të duhet tërheqja e mendimit të vetë PAK që kanë njohuri apo informacion lidhur me mënyrën e zgjidhjes së çështjeve të tilla në vendet me standarde të avancuara, si dhe njohja e strukturave shtetërore me përvojën më të mirë të vendeve me standard të përparuara. 

-Urgjente mbetet nevoja e investimit në drejtim të futjes së zërit shqip në ekranlexuesit për të verbër, leximit të thjeshtëzuar për persona me aftësi të kufizuara intelektive dhe software-eve të tilla si “Bliss” me përfitime pluriforme. Investime të tilla, në kushtet e Shqipërisë, nuk mund të përballohen në rrugë private, ndërsa nuk do të rëndonin aspak buxhetin e shtetit dhe do të sillnin përfitime të pallogaritshme për të gjithë komunitetin e PAK. Çdo vonesë e mëtejshme në këtë drejtim do të përkthehej si një dëm katastrofik për gjeneratën e re të PAK në Shqipëri. Gjithashtu, duhet të marrë fund koha kur PAK e marrin informacionin mbi të rejat teknologjike që zbusin barrierat fizike a mjedisore në rrugë joformale. Shteti duhet të bëhet përçuesi i informacionit lidhur me këto të reja dhe duhet t’u sigurojë PAK lehtësira financiare dhe të tjera për arritjen e tyre dhe kjo duhet të nisë të marrë formë që me këtë plan veprimi. Për më tepër, shih Konventën, neni 4, pika 1, shkronjat f dhe g).

 

Kur është fjala te titulli “Barazia”, në objektivin 2 (f.29), shprehje të tilla si “heqje e zotësisë për të vepruar” apo “kujdestari ligjore” nuk duhet të ekzistojnë, pasi bien katërcipërisht ndesh me Konventën për të Drejtat e PAK, përkatësisht neni 12.

Po ashtu, lidhur me këtë objektiv, në tabelat përkatëse të aktiviteteve përdoren termat “kapacitet ligjor” dhe “kapacitet për të vepruar”. Gjuha e përdorur rrjedh nga përkthimi i pasaktë i Konventës dhe duhet ndryshuar në”zotësi për të vepruar”, për të dy termat, me qëllim evituimin e konfuzionit që do të lindte nga përdorimi i termave të ndryshëm për të njëjtat koncepte (shih legjislacionin procedural dhe material penal dhe civil). Sqarojmë se termi “legal capacity” ka të bëjë thjesht dhe vetëm me zotësinë për të vepruar dhe jo atë juridike (shih: http://www.businessdictionary.com/definition/legal-capacity.html).

Ndërkaq, mbartur nga sa kemi vërejtur më sipër, në faqen 71 në mënyrë tejet të çuditshme thuhet se nuk është përcaktuar niveli i pagave për PAK për të cilat aplikohet përjashtimi nga tatimi. Kjo, gjithnjë sipas po asaj pike, e bën një gjë të tillë të pazbatueshëm deri në përcaktimin e nivelit të pagave të patatueshme. Ky pohim nuk është i saktë, pasi, sikurse kemi theksuar më lart, p.sh, të verbërit përjashtohen nga tatimet e drejtpërdrejta, njëri ndër të cilët është padyshim tatimi mbi pagën.

Në aktivitetet që lidhen me politikat arsimore, do të duhej të shtohej edhe përgatitja e teksteve me shkrim të zmadhuar për fëmijët me shikim të pjesshëm.

Në faqen 88 flitet për jetesën e pavarur të PAK intelektivë, ndërkohë që ajo duhet mundësuar për të gjitha kategoritë e PAK, çka do mbajtur parasysh në hartimin e planit të aktiviteteve (shih Konventa, neni 19).

 

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here