UK Bookmakers

PROJEKTI “TË JESH AKTIV – PA BARRIERA” DHE DIALOGU MBI POLITIKAT SOCIALE

Projekti “Të jesh aktiv – pa barriera’, i zbatuar nga Caritas Shqiptar, me financimin e Agjencisë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Caritas Austria që prej shtatorit 2014, përfaqëson një ndërthurje komplekse komponentësh dhe indikatorësh respektivë, me synim:

• Krijimin e një ambienti social më gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar

• Fuqizimin e individëve të këtij grupi social, pra aftësimin e tyre për t’u vetëpërfaqësuar në procesin e realizimit të drejtave të tyre.

 

Filozofia e lartpërmendur, e mishëruar në projekt, merrte spunto, sa nga konteksti social shqiptar, aq edhe nga ratifikimi nga ana e Shqipërisë i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në dhjetor 2012. Thënë ndryshe, projekti ishte hartuar për të shërbyer si katalizator në përshpejtimin e procesit të vështirë të implementimit të Konventës, në një vend që dukej qartë se nuk kishte kuptuar si duhet detyrimet që kishte marrë përsipër. Në këtë kuadër, me rëndësi të dorës së parë në projekt ka qenë edhe tema e dialogut mbi politikat sociale, e cila, për hir të së vërtetës, rezulton të jetë një temë mjaft delikate në një vend me trashëgimi të varfër nga e kaluara në këtë drejtim.

 

Projekti parashikonte zhvillimin e dialogut social në dy nivele.

Në nivelin qendror, parashikohej pjesëmarrja e Caritas Shqiptar me kontribute në konsultimet publike gjatë procesit të hartimit të dokumentave të politikave sociale dhe të legjislacionit të ri në fushën e aftësisë së kufizuar. Kështu, duke ndjekur nga afër tryezat e konsultimeve, është bërë e mundur që, përmes mendimeve të kualifikuara, të bazuara në konsultime paraprake me organizatat e PAK, si dhe me PAK të përfshirë në projekt në cilësinë e konsulentëve, por edhe në vetë gjetjet e projektit, të influencohet në hartimin e një legjislacioni sa më të plotë, koherent dhe që u përgjigjet mundësive reale të shtetit dhe nevojave objektivisht të pranishme të PAK. Plani Kombëtar i Veprimit për PAK 2016-2020, ligji i ri për shërbimet e kujdesit shoqëror, raportet periodike të Republikës së Shqipërisë për gjendjen e të drejtave të PAK adresuar Komitetit të OKB për PAK, janë aktet kryesore por jo të vetme ku Caritas Shqiptar, i përfaqësuar nga nëpunësi i advokimit, ka dhënë mendime që kanë ndikuar në variantet finale të tyre. Po ashtu, shprehje e njohjes së kontributit të Caritas Shqiptar në lehtësimin e gjendjes së PAK ka qenë përzgjedhja e tij si njëra nga organizatat që ofron shërbime për PAK për t’u përfaqësuar në Këshillin Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar. Kjo rrethanë, është shfrytëzuar nga ana jonë për të përçuar drejtpërdrejt tek instancat më të larta të pushtetit shtetëror shqetësimet, qëndrimet dhe vizionin tonë si reflektim i nevojës për përsosjen e vazhdueshme të politikave sociale të qeverisë.

 

 Ndërkaq, në nivelin vendor synohej:

•nxitja e një kohezioni të brendshëm në radhët e organizatave të dhe për personat me aftësi të kufizuar dhe

•përçimi i problematikave te autoritetet vendore përmes mundësimit të ndërsjelltë të fluksit të informacioneve, ideve dhe praktikave më të mira në funksion të përmirësimit të klimës sociale për personat me aftësi të kufizuar.

Mund të themi se, së paku për zonat e zbatimit të tij, konkretisht Kurbin, Lezhë dhe Vau i Dejës, projekti ishte i pari i këtij lloji, në kuptimin që askush më parë nuk kishte arritur të bashkonte një numër kaq të madh aktorësh dhe faktorësh në tryeza kaq të gjera diskutimi. Për më tepër, këto forume u paraprinë nga një studim i nevojave për secilën zonë, gjetjet e të cilit u përkthyen në tema problematikash të shtruara për zgjidhje përpara institucioneve të pushtetit vendor. Përpunimi i planeve respektive vendore të rehabilitimit, hartuar në kuadër të projektit nga ekspertë të gjithëpërfshirjes, dhe vënia e tyre në dispozicion të autoriteteve ishte një tjetër arritje e projektit. Përmes tyre, për herë të parë bashkitë dhe drejtoritë e shërbimit social shtetëror kishin në duar instrumente konkrete për trajtimin e problemeve. Nga ana tjetër, fakti se vetëm në 2016-ën, përmes Ligjit nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror” parashikohet hartimi i planeve vjetore sociale vendore dhe rajonale, dëshmon se Caritas, edhe pse me resurse dhe kapacitete në letër inferior ndaj atyre të shtetit, ishte një hap para për sa i takon të kuptuarit dhe mënyrës së qasjes ndaj problematikës në fjalë.

Organizimi i aktiviteteve advokuese dhe lobuese, të ideuara në kuadër të aleancave me shoqata vendore për tema të caktuara ka qenë një tjetër shprehje e frymës ndryshe që projekti u orvat të fuste në riformatimin dhe reformimin e dialogut social. Vendin e agjendave personale apo nismave me natyrë empirike dhe vetëm për kategori të caktuara aftësie të kufizuar të përfaqësuesve jo sa duhet të përgjegjshëm apo të zotë të organizatave të PAK, e zunë programe të mirëfillta pune. Për hartimin e tyre u shfrytëzuan takime formale dhe informale, që finalizoheshin me workshop-e nga të cilat dilej me tema konkrete. Ato kishin të bënin me të gjitha tipet e aftësisë së kufizuar dhe synonin përfshirjen e të gjitha organizatave të tyre përfaqësuese dhe individëve të shquar për jetesë të pavarur dhe angazhim në lëvizjen për të drejtat e PAK. Këto tema më pas u parashtroheshin bashkërisht autoriteteve.

Në mbyllje, mund të thuhet me bindje të plotë se përvoja e grumbulluar gjatë këtyre tre vjetëve të zbatimit të projektit, në mos për tjetër, mund dhe duhet të shërbejë si një bazë e shkëlqyer mbi të cilën, të paktën në tri zonat e zbatimit të projektit, të krijohet një traditë e mirëfilltë e dialogut social, e cila jo vetëm të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e personave me aftësi të kufizuar, por edhe të shërbejë si model për shtrirjen e këtij dialogu edhe në zona të tjera të vendit.

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here