UK Bookmakers

NJË RRËFIM I SINQERTË PËR VAJZËN TIME, ALEKSANDRËN!

Unë ju rrëfej historinë më të dhimbshme dhe më të bukur të jetës sime. Ja si fillon sprova më e madhe e jetës. Më 3 shtator 1997 linda të bukurën time, Aleksandrën. Ishte një femijë aq i bukur sa për herë të parë kur e mora në krahë qava shumë saqë ndoshta po e parandjeja se diçka do të ndodhte. Kaluan 6 muaj pas lindjes së Aleksandrës dhe akoma nuk dija asgjë. Vajza ime ishte e sëmurë atë natë, e në mes të natës e dërgova në spitalin e Shkodrës, aty mësova që ime bijë vuante nga Sindroma Down. E dërgova në kopshtin e lagjes por nuk ma pranuan. 

 

Mundësisht me përbuzjen më të madhe, me fjalët më të rënda duke më thënë: ‘’Nuk pranojmë në shkollë një fëmijë budalla’’. Kaluan 16 vite dhe Sandra ime rrinte vetëm brenda, e izoluar, nuk donte të rrinte me asnjeri. Ajo gjithmonë mbante në duar një kukull që ishte si një shoqe për të që akoma e mban edhe sot. Por mbas gjithë këtyre vuajtjeve, lotëve, sakrificave vendosa që të merrja një hap tjetër pa e ditur a do të kisha sukses. Veç shpresova në Zotin. 

Kur Sandra ishte vetëm 17 vjeç shkova në Vau Dejës dhe fola me drejtorin dhe përgjegjësin e Caritas-it duke i shpjeguar situatën e vajzës sime. Ata më folën mbi projektin “Pa Barriera“. Pas 2 ditëve ata erdhën tek shtëpia ime dhe takuan Aleksandrën. Duke i falenderuar pa masë, ata morën një nismë të re në lidhje me bijën time. Duke e aktivizuar në aktivitete të ndryshme, për Aleksandrën u krijua një jetë e re plot ngjyra. Ka mësuar të pikturojë, të njohë ngjyrat, numrat, format sipas madhësive, të shoqërohet me njerëz, të qeshë, të flasë, të shprehë mendimet e saj. I falenderoj pa masë stafin e Caritas-it, vullnetarët edhe psikologen e saj. 

Sot vajza ime është 20 vjeç dhe vitet e fundit një rreze drite ka rënë në fytyrën e saj dhe në timen, më parë ajo rrinte veç në dhomën e saj aq e heshtur dhe pasive, por sot?! Sot ajo përpiqet të jetë më aktive se kurrë. 

“Ju them të gjithë prindërve, të gjitha nënave që asgjë në këtë botë, Zoti nuk e bën pa një arsye. Ju lutem mos qani, mos vuani pasi ka gjithmonë një dritë në fund të tunelit. Pranojeni ëngjëllin tuaj dhe kurrë mos e braktisni në duart e dikujt tjetër. Pranojeni dhuratën e Atit tonë. Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar për buzëqeshjen e Aleksandrës. Faleminderit juve që do të lexoni këtë rrëfim të shkurtër dhe pse jo, do ta ndani dhimbjen bashkë me mua” 

 

Prindi: Flora Lasku

The Best betting exchange http://f.artbetting.netby ArtBetting.Net

All CMS Templates - Click Here